Një incident i papritur ndodhi pas përfundimit të meçit për titullin WBC Silver në kategorinë e rëndë, mes boksierit turk Umut Camkiran dhe azerbajxhanasit Mourad Aliev, i zhvilluar në Stamboll.
Përballja, e cila u zhvillua në Fenerbahçe Arena, përfundoi me tensione të mëdha, pas veprimeve të Alievit ndaj tifozëve në tribuna që shkaktuan reagime të ashpra.
Camkiran, i cili para këtij dueli kishte një rekord të shkëlqyer prej 25 fitoresh në po aq meçe, me 23 prej tyre të arritura me nokaut, u përball me Alievin në një luftë prej 12 raundesh.
Menjëherë pas rënies së gongut për përfundimin e raundit të fundit, boksieri nga Azerbajxhani filloi të festonte, por gjestet e tij të papërshtatshme në drejtim të tifozëve tensionuan situatën.
Në ato momente, një tifoz hyri në ring dhe e goditi me grusht Alievin.
Pas tij, edhe disa persona të tjerë u futën në ring, duke shkaktuar një përleshje masive.
Tensionet vazhduan për disa çaste, ndërsa Alievi u largua nga ringu pas incidentit.
Për shkak të kaosit, transmetimi i drejtpërdrejtë i meçit u ndërpre.




