Qyteti i Houstonit në Teksas ka marrë një vendim për të kufizuar bashkëpunimin e policisë lokale me autoritetet federale të imigracionit (ICE), vetëm tri ditë pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.
Kryetari demokrat i qytetit, John Whitmire, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që përcakton kufizime të reja mbi mënyrën se si policia mund të bashkëpunojë me Shërbimin e Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE).
Sipas udhëzimit të ri, policët nuk kanë të drejtë të raportojnë individët tek autoritetet e imigracionit vetëm për shkak se ndaj tyre ekziston një urdhër administrativ lidhur me çështjet e emigracionit.
Kontakti me ICE-në do të lejohet vetëm në raste specifike, përfshirë kur personi arrestohet për një vepër penale që mund të dënohet me burgim.
Whitmire theksoi se ky vendim ka për qëllim mbrojtjen e sigurisë së komunitetit dhe shmangien e frikës te emigrantët që jetojnë në qytet. “E kam thënë shumë herë: zgjedhjet kanë rëndësi”, deklaroi ai, duke iu referuar ndryshimeve politike pas rezultateve të fundit zgjedhore.
Ky veprim vjen në një kohë kur politikat e administratës së presidentit Donald Trump për dëbimin e emigrantëve kanë shkaktuar kundërshtime në disa qytete amerikane, veçanërisht në ato të udhëhequra nga demokratët.
Guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott, kishte paralajmëruar më herët se do t’ua ndërpriste Houstonit, Dallasit dhe Austin rreth 110 milionë dollarë grante për sigurinë publike, nëse këto qytete kufizonin bashkëpunimin me ICE-në.




