Përzgjedhja e futbollistëve, forma dhe minutazhi te klubet, mungesat e Ivan Balliut dhe Thomas Strakoshës, si dhe mundësitë për lojtarë të tjerë që të bëhen pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, janë disa nga temat që trajtoi përzgjedhësi Rolando Maran në konferencën për media.
Maran shpjegoi vendimet e tij për listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, duke theksuar se përzgjedhja është bërë kryesisht në bazë të formës dhe minutazhit të lojtarëve me klubet e tyre.
Tekniku italian u ndal edhe te mungesa e Ivan Balliut, duke sqaruar se tërheqja e tij nga Kombëtarja ishte një vendim personal, ndërsa për portierin Thomas Strakosha tha se ai nuk është në gjendje optimale fizike. “Nëse mungon ndonjë lojtar, nuk do të thotë që nuk është i aftë për ta ndihmuar skuadrën.
Jam bazuar shumë te forma dhe te minutazhi që kanë pasur me klubet e tyre.
Sa i përket përmirësimit të statistikave, për të gjithë Ligën C, jemi në vendin e parë për sa i përket pritshmërive për të shënuar gol dhe në vendin e parë për ekipet që kanë pësuar më pak gola.
Dua të stërvit një skuadër që t’i ketë këto statistika,” u shpreh fillimisht Maran.
Ai gjithashtu foli për objektivin e skuadrës në dy ndeshjet e fundit, duke e konsideruar presionin si një motiv shtesë për të arritur rezultatin e dëshiruar. “Presioni është pozitiv dhe të nxit të bësh mirë për të arritur objektivin për të qenë në krye.
Kam folur me lojtarët dhe ata e duan këtë objektiv. Është pozitive dhe na shërben të bëjmë më të mirën.
Në Kombëtare i takoj më rrallë lojtarët dhe kjo më pengon,” tha ai.
Maran shpjegoi se në këtë grumbullim ka vendosur t’u besojë futbollistëve me të cilët ka punuar në ndeshjet e mëparshme, por la të hapur mundësinë për lojtarë të tjerë, përfshirë sulmuesin Indrit Tuci. “Në këtë listë doja të konfirmoja lojtarët me të cilët kam punuar deri më tani.
Tuci është lojtar i mirë, më pëlqen dhe nëse do të vazhdojë të shënojë dhe të jetë në formë të mirë, e ka derën e hapur, kemi gjithnjë nevojë për lojtarë të mirë.” Ai theksoi rëndësinë e lidhjes me tifozët, duke njoftuar se stërvitja e së hënës do të jetë e hapur për të gjithë ata që duan të jenë pranë Kombëtares. “Kemi dëshirë të jemi sa më afër edhe me tifozët dhe kemi vendosur që të hënën do të hapim portat e stërvitjes për të gjithë tifozët që duan të jenë pranë nesh.
Duam të kemi një sinergji për të gjithë njerëzit që e duan këtë fanellë.” Një pjesë e rëndësishme e konferencës iu kushtua futbollistëve me prejardhje nga Kosova, për të cilët Maran tha se çdo lojtar që zgjedh të përfaqësojë Shqipërinë duhet të jetë krenar për fanellën kuqezi. “Kush zgjedh të luajë për Kombëtaren shqiptare, është krenar për të luajtur për këto ngjyra,” potencoi ai.
Maran gjithashtu konfirmoi se po e ndjekin Klidman Lilon dhe se për këtë grumbullim ka preferuar të ruajë grupin e lojtarëve të punuar në katër ndeshjet e para. “Klidman Lilo? Është një lojtar që po e ndjekim.
Por kam dashur të konfirmoj këto dy ndeshjet bllokun që kemi punuar në katër ndeshjet e para.” Në fund, ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së futbollistëve nga kampionati vendas për rritjen e nivelit të futbollit shqiptar. “Ne punojmë çdo ditë për tu përmirësuar, ka disa gjëra që nuk janë bërë mirë, por kjo na jep stimul.
Ndeshja e fundit me San Marinon ka lënë disa dyshime, por kjo na shtyn të përmirësohemi dhe të bëjmë më mirë.”




