Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka theksuar se është e domosdoshme të zhvillohet një luftë e pakompromis kundër korrupsionit, duke kërkuar gjithashtu forcimin e sistemit të drejtësisë dhe vendosjen e përgjegjësisë për zyrtarët publikë.
Në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkan Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, Gërvalla ka marrë pjesë në një panel kushtuar kësaj çështjeje.
Ajo ka shprehur se përballja me këtë dukuri kërkon vullnet institucional, një sistem të pavarur dhe profesional të drejtësisë, zbatim të ligjit dhe bashkëpunim ndërkombëtar. “Lufta kundër korrupsionit kërkon që pasuria e pajustifikueshme të verifikohet, përfitimet e paligjshme të konfiskohen, zyrtarët publikë të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe rrjetet kriminale të mos gjejnë strehë në kufijtë e shteteve”, ka theksuar Gërvalla.
Ajo gjithashtu ka theksuar se asnjë pozitë publike, pasuri apo lidhje politike nuk duhet të shërbejë si mburojë përballë ligjit.
Gërvalla ka bërë të ditur se Kosova mbetet e përkushtuar në thellimin e reformave në drejtësi, forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info



