Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për bllokimin e nënshkrimit të kredisë prej 74 milionë eurosh, e cila do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve të pastrimit në rajonin e Prishtinës.
Musmurati ka bërë të ditur se gjatë një takimi me delegacionin e bankës gjermane KfW, ku ka marrë pjesë edhe kryeshefi i KRM “Pastrimi”, është rikonfirmuar se kredia ende nuk është nënshkruar nga ministri Murati.
Sipas saj, me këtë financim ishte planifikuar blerja e 100 kamionëve të rinj, vendosja e 10 mijë kontejnerëve dhe ndërtimi i një qendre për riciklimin e mbeturinave. “Është e turpshme, e dhimbshme dhe qyqare që një ministër për inate politike të bllokojë pastrimin e Prishtinës”, ka deklaruar Musmurati.
Ajo ka theksuar se Komuna do të kërkojë forma të tjera për të përmirësuar shërbimet e pastrimit, por ka paralajmëruar se qytetarët e Prishtinës nuk do ta harrojnë, siç është shprehur, bllokimin e këtij investimi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




