Zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në raportin e forcave në Kongres, një zhvillim që mund të ketë ndikim edhe në politikën e jashtme amerikane.
Por, çfarë konkretisht do të ndodhë me politikën e Uashingtonit ndaj Kosovës tani që demokratët kanë fituar kontrollin e të dyja dhomave – Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve?
Ekspertët amerikanë thonë se kjo përbërje e re mund të sjellë një angazhim më të madh të Kongresit në Ballkanin Perëndimor, megjithatë, ata theksojnë se pritshmëritë nuk duhet të jenë shumë të larta.
Robin Brooks, ish-drejtoreshë për Evropën Qendrore dhe Ballkanin në Këshillin për Siguri Kombëtare të SHBA-së, thekson se, pavarësisht se Kosova nuk është në fokusin e përditshëm të shumicës së ligjvënësve amerikanë, ajo mbetet një aleate e rëndësishme e Uashingtonit.
Sipas saj, Kongresi i ri, që fillon punën në janar të vitit të ardhshëm, fillimisht do të përqendrohet në çështjet e brendshme, si çmimet e larta, kostoja e barnave dhe karburanteve.
Megjithatë, vendimet e administratës në politikën e jashtme do të mund të shqyrtohen gjithashtu.
Brooks shpjegon se Kongresi do të mund ta mbajë administratën përgjegjëse në rast se veprimet e saj bien ndesh me “ligjet, vlerat dhe normat amerikane”.
Kjo mund të përfshijë edhe mënyrën se si Uashingtoni kërkon nga vende të tjera, si Kosova, bashkëpunim në çështje si dëbimi i individëve nga SHBA.
Edhe pse politika e jashtme mund të zërë pak vend në agjendën e Kongresit, ajo mund të ndikojë më drejtpërdrejt në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Edward P.
Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins, pret që Kongresi i kontrolluar nga demokratët do të ushtrojë më shumë presion për shqyrtimin e politikës së administratës Trump ndaj Serbisë.
Ai thekson se zhvillimet politike në Serbi do ta shtojnë këtë vëmendje dhe do ta shtyjnë Uashingtonin të kërkojë një angazhim më të madh për stabilizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet e 25 tetorit, që i dha fund 14 vjetëve të qeverisjes së Partisë Përparimtare Serbe, Joseph i bën thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që të ndryshojë qasjen ndaj komunitetit serb në vend. “Kurti ka një mundësi të rrallë për të marrë iniciativën dhe për të propozuar politika të reja që do të përmirësonin marrëdhëniet si me serbët e Kosovës, ashtu edhe me Serbinë.
Nga ana tjetër, nëse vazhdon me qasjen aktuale, Kosova do të përballet me presion dhe kritika më të mëdha”, thotë Joseph.
Me kalimin e viteve, Kurti është kritikuar vazhdimisht nga SHBA dhe BE për “veprime të njëanshme” në veri, të cilat, sipas tyre, kanë rritur tensionet dhe pasigurinë te serbët e Kosovës.
Daniel Fried, ish-ambasador amerikan dhe ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, shohin mundësi për “diplomaci më kreative” në rajon, pas ndryshimeve në pushtet në Serbi dhe humbjes së kontrollit republikan në Kongresin amerikan. “Nuk do të prisja një nismë të madhe së shpejti”, thotë ai, duke shtuar se mund të ketë një bashkëpunim më të ngushtë të SHBA-së me Evropën për ta orientuar Serbinë drejt integrimit evropian.
Ai sugjeron që Kosova të mos shihet vetëm përmes mosmarrëveshjeve me Serbinë dhe të forcojë marrëdhëniet me Uashingtonin, por për këtë kërkohet iniciativë nga vetë Kosova. “Kosova duhet të mbështetet edhe më shumë te parimet e saj themeluese: demokracia, sundimi i ligjit dhe flamuri i saj (i mrekullueshëm), që e përfaqëson Kosovën si shtet për të gjithë ata që jetojnë në të”, thotë Fried.
Brooks gjithashtu thekson se Kosova nuk duhet ta lidhë politikën e saj të jashtme vetëm me administratën aktuale amerikane. “Përpjekja për t’i bërë qejfin administratës Trump ishte gabim që nga fillimi”, thotë ajo.
Sipas Brooks, kjo qasje ka futur Kosovën në iniciativa që nuk kanë sjellë domosdoshmërisht përfitime afatgjata, si Bordi i Paqes. “Kosova duhet të kërkojë të ardhmen e saj evropiane dhe të angazhohet me të dyja partitë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat”, thotë ajo.
Një prej çështjeve ku ligjvënësit amerikanë mund të ndihmojnë është bindja e pesë vendeve të Bashkimit Evropian – Spanja, Greqia, Rumania, Qipro, Sllovakia – që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë.
Se çfarë mund të ndryshojë për Kosovën varet edhe nga hapat që ndërmerr vetë Prishtina, si në marrëdhëniet me serbët e Kosovës, ashtu edhe në afrimin me ligjvënësit e të dyja partive në Uashington.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




