Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar një protestë mbarëkombëtare në Prishtinë, me qëllim që të vazhdojë kërkesat për drejtësi dhe përgjegjësi lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Protesta do të mbahet nesër në ora 12:00 dhe do të niset nga Katedralja “Nënë Tereza”.
Sipas njoftimit, vrasja e Arlinda Zekajt, si dhe reagimi i shtetit, e kanë vendosur shoqërinë në një krizë dhe pasiguri shoqërore.
Kjo organizatë thekson se vetëm me përgjegjësi shtetërore dhe me një angazhim serioz për jetën e grave mund të tejkalohet kjo situatë. “Vrasja makabre e Arlindës e ka ekspozuar në mënyrë të paprecedentë të gjithë zinxhirin institucional që, kur gratë ndihen në rrezik dhe kërkojnë ndihmë, në vend se t’i mbrojë, i anashkalon dhe me duart e veta i dërgon drejt vrasjes,” theksohet në njoftim.
Përveç kërkesave për drejtësi, Kolektivi kërkon që shteti ta shpallë femicidin si një urgjencë kombëtare, duke u angazhuar për të gjitha vajzat dhe gratë e Kosovës. “Arlinda Zekaj na e ka lënë amanet që të kërkojmë përgjegjësi, e këtë amanet ne po e zgjasim jo veç për Arlindën dhe çdo grua të vrarë, por edhe për çdo vajzë e grua të gjallë.
Patriarkisë shtetërore, Arlinda ia ka lëkundë themelet; tani është e jona që këtë ta çojmë deri në fund, për t’i dhënë fund njëherë e mirë dhunës së shumëfishtë ndaj vajzave e grave në Kosovë,” thuhet më tej në njoftim.
Organizatës i janë renditur gjashtë kërkesa përplotësuese, të cilat duhet të marrin përgjigje nga autoritetet. “1.
Shkarkim, ndjekje penale dhe burgim për kryeprokuroren Lumturije Vuçetaj, prokuroren e rastit Suada Rama Hamza, kryetarin e gjykatës Shemsedin Haxhiaj, gjykatësin Migjen Kastrati, ushtruesen e detyrës së drejtores së QPS-së Shpresa Lukajn, togerin Faruk Muqolli dhe çdo zyrtar/e tjetër të përfshirë; 2.
Shkarkim të Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, dorëheqjen e Gazmend Muhaxherit; 3.
Trajtimin e vrasjes së grave si urgjencë kombëtare; 4.
Sigurim të banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje; 5.
Veting apartiak dhe të pavarur të sistemit të drejtësisë; 6.
Legalizim të sprejit vetëmbrojtës për gra,” është shprehur njoftimi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




