Mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion nuk ka arritur të zhvillohet për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët e koalicionit qeverisës ishin të pranishëm.
Kryetari i Komisionit, deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, theksoi se anëtarët nga LVV-ja kërkuan shtyrjen e mbledhjes vetëm 15 minuta para fillimit, duke e cilësuar këtë veprim si të papërgjegjshëm dhe joserioz.
Në rend dite ishte shqyrtimi në parim i projektligjit për efiçiencë të energjisë.
Anëtari i Komisionit nga Aleanca, deputeti Burim Ramadani, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po shmanget mbikëqyrjes së institucioneve.
Ai shprehu se bëhet fjalë për miliona euro që hyjnë dhe qarkullojnë në ekonominë e Kosovës.
Sipas tij, Autoriteti i Konkurrencës duhet të veprojë në mënyrë të qartë për të parandaluar abuzimet me tregun.
Ramadani ngriti gjithashtu dyshime për konflikt të mundshëm interesi te dy deputetë të partisë në pushtet, duke sugjeruar se mund të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë për shkak të bizneseve të tyre ose të afërmve. “Vetëvendosje po ikë nga mbikëqyrja e institucioneve.
Jemi duke folur për miliona euro që futen, qarkullojnë në ekonominë e Kosovës, dhe ky autoritet duhet të jetë i qartë, që askush të mos ketë mundësinë të abuzojë me tregun.
Fatkeqësisht, mendoj që dy deputetë kanë konflikt interesi direkt, dhe mund të ketë edhe më shumë, për shkak të bizneseve të tyre apo të afërmve të tyre, të cilët kanë nevojë t’i mbrojnë tani”, deklaroi Ramadani.
Deputeti kërkoi angazhimin e Prokurorisë Speciale për të verifikuar dhe sqaruar çdo situatë, si konfliktin e mundshëm të interesit, ashtu edhe pretendimet për paligjshmëri brenda Autoritetit të Konkurrencës. “Kjo mendoj që është punë përtej politikës.
Nuk po flasim për qëndrime politike.
Kisha kërkuar nga Prokuroria Speciale të angazhohet, të vërtetohet dhe të qartësohet çdo situatë, edhe për konfliktin e interesit, ashtu edhe për pretendimet për paligjshmëri brenda Autoritetit të Konkurrencës.
E kemi të qartë se kemi të bëjmë me njerëz politikë.
Udhëheqja e Autoritetit të Konkurrencës janë njerëz partiakë”, përfundoi Ramadani.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




