Ermal Krasniqi ka marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm për paraqitjen e tij të fundit me Amedsporin, duke u përfshirë në formacionin më të mirë të javës së dhjetë në Superligën e Turqisë.
Reprezentuesi i Kosovës është zgjedhur në ekipin e javës pas një paraqitjeje të shkëlqyer në fitoren bindëse 5-1 të Amedsporit ndaj Eyupsporit.
Krasniqi ishte një nga protagonistët kryesorë të takimit, pasi realizoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 13-të, duke e zhbllokuar rezultatin me një goditje të bukur me këmbën e majtë.
Futbollisti kosovar e nisi ndeshjen si titullar dhe qëndroi në fushë për 55 minuta, ndërsa paraqitja e tij u vlerësua me notën 8.3 nga Sofascore.
Përveç golit, Krasniqi regjistroi dy goditje drejt portës, 43 prekje të topit, dy driblime të suksesshme nga po aq tentativa dhe fitoi shtatë duele.
Këto statistika i kanë siguruar atij një vend në formacionin më të mirë të javës, ku është pozicionuar në krahun e djathtë të mbrojtjes me notën 8.3.
Krasniqi po aktivizohet këtë sezon kryesisht si mbrojtës i djathtë, ndonëse në pjesën më të madhe të karrierës ka luajtur në pozita më të avancuara.
Në dhjetë paraqitje në Superligën turke këtë edicion, ai ka regjistruar një gol dhe dy asistime.




