Autoritetet ruse kanë njoftuar se një sulm masiv me dronë ka goditur një ndërmarrje industriale në rajonin e Nizhny Novgorodit gjatë natës.
Siç raportojnë kanalet e monitorimit të luftës, objekti i sulmit është një rafineri e rëndësishme nafte.
Guvernatori rajonal, Gleb Nikitin, informoi përmes Telegram se sulmi me dronë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në një objekt industrial në distriktin Kstovsky. “Janë shkatërruar më shumë se 100 dronë”, shkroi Nikitin, duke shtuar se informacionet fillestare nuk raportojnë për viktima dhe se ekipet emergjente ndodhen në vendin e ngjarjes.
Ai paralajmëroi gjithashtu se gjatë punimeve për rikthimin në normalitet të funksionimit të objektit, mund të ketë ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike, si dhe kufizime në furnizimin me ujë të ngrohtë dhe ngrohje në disa zona të banuara.
Ndërkohë, kanalet e monitorimit të luftës në Telegram raportuan se objektiv i sulmit ishte rafineria e naftës në Kstovo, e njohur gjithashtu si rafineria Lukoil-Nizhegorodnefteorgsintez, e cila konsiderohet një nga objektet më të mëdha të këtij lloji në Rusi.
