Universiteti i Prishtinës dhe Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për promovimin e gjithëpërfshirjes në arsim dhe krijimin e mundësive të barabarta për grupet e margjinalizuara të shoqërisë.
Shala ka njoftuar se në kuadër të këtij bashkëpunimi, një fushatë do të nisë në dhjetor. “Edukimi i barabartë, e ardhme e barabartë”, ndërsa në janar të vitit të ardhshëm do të organizohen ligjërata në fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës për të rritur vetëdijen mbi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në arsim.
Ajo theksoi se një nga synimet e memorandumit është krijimi i mekanizmave infrastrukturorë dhe edukues, si dhe përmbushja e kuotës ligjore për punësimin e personave me nevoja të veçanta. “Në kuadër të fushatës për edukimin gjithëpërfshirës që do të nisë në dhjetor, edukimi i barabartë e ardhme e barabartë, ku përmes këtij memorandumi synohet gjithëpërfshirja në arsim për të gjitha kategoritë e margjinalizuara të shoqërisë sonë.
Bashkë me rektorin sot u dakorduam që Universiteti i Prishtinës të krijojë mekanizma si infrastrukturorë ashtu edhe edukues për të gjitha kategoritë e ndjeshme të shoqërisë, në mënyrë që të gjithë të kenë një edukim të barabartë, natyrisht për një ardhme të barabartë.
Jam shumë e lumtur me mbështetjen e madhe të rektorit dhe të Universitetit të Prishtinës që ky memorandum të nënshkruhet, ku në janar të vitit të ardhshëm ne do të nisim edhe me ligjërata të ndryshme nëpër fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës mbi ngritjen e vetëdijes sa i përket rëndësisë së gjithëpërfshirjes në arsim për të gjitha kategoritë e ndjeshme të shoqërisë.
Përtej kësaj, bashkë me rektorin u gjuajtëm u zotuam që universiteti të plotësojë edhe kuotën mbi punësimin e personave me nevoja të veçanta, ku sipas ligjit thuhet që në çdo 50 punëtorë një duhet të jetë nga kjo kategori.
Por nuk do të ndalemi vetëm tek kjo kategori sepse projekti është gjithëpërfshirës, pra do të përfshijnë të gjitha kategoritë e tjera.
Projekti do të zgjasë sipas planit deri në mars të vitit të ardhshëm, pra është planifikuar një projekt tre-mujor dhe që do të shtrihet edhe në qytetet e tjera të Kosovës, por me fokus të veçantë në Prishtinë dhe në Universitetin e Prishtinës”, tha Shala.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, theksoi se ky projekt do të shërbejë për të avancuar angazhimin e universitetit drejt gjithëpërfshirjes dhe garantimit të mundësive të barabarta në arsimim dhe studime. “Po, edhe unë jam shumë i lumtur që ky projekt do të shërbejë edhe si katalizatorë që të jemi gjithëpërfshirës dhe t’ju ofrojmë të gjithëve mundësi të barabarta, mundësi të barabarta që t’i realizojnë të drejtat e edukimit, arsimimit, studimeve, si dhe ambiciet njerëzore për një ardhme më të mirë dhe një mirëqenie më të mirë.
Ne si universitet i Prishtinës kemi bërë progres të madh edhe në këtë fushë, sa i përket gjithëpërfshirjes dhe një qasje inkluzive për të gjitha kategoritë, pavarësisht karakteristikave individuale që mund të ketë njeriu, sidomos në këtë rast kur kemi të bëjmë me studentë me nevoja të veçanta.
Mirëpo ne nuk do të kalojmë në vetëkënaqësi dhe jam i lumtur që kemi njerëz të vullnetit të mirë, ambasadorë të vullnetit të mirë në këtë rast, që na angazhojnë të arrijmë qëllimet e synimet tona në gjithëpërfshirje edhe më mirë.
Universiteti i Prishtinës është shumë i lumtur kur sheh që ish-studentët, siç është rasti me ambasadorin e vullnetit të mirë, vazhdojnë t’i angazhohen në fusha kaq të rëndësishme për një shoqëri më gjithëpërfshirëse, më inkluzive dhe më të drejta, sepse besoj se kjo është baza e zhvillimit të qëndrueshëm shoqëror”, tha Hajrullahu.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
