BallinaSportIncidenti në Camp Nou: Tifozët e Real Madridit përjashtohen për festën e...

Incidenti në Camp Nou: Tifozët e Real Madridit përjashtohen për festën e golit të Mbappes

- Advertisement -

Një tifoz sllovak i Real Madridit, Frantisek Vavrek, ka pretenduar se ai dhe djali i tij janë përjashtuar nga tribunat e ‘Camp Nou’ pas festimit të golit të Kylian Mbappes në El Clasico, ku madrilenët triumfuan me rezultatin 2-1 ndaj Barcelonës.

Vavrek kishte udhëtuar në Barcelonë për të dhuruar djalit të tij, Denis, një përvojë të paharrueshme për ditëlindjen e tij të 18-të.

Megjithatë, përvoja e tyre përfundoi në zhgënjim, pasi ata u detyruan ta ndiqnin pjesën e mbetur të ndeshjes në telefonat e tyre, brenda një taksie.

Në një rrëfim për Marca, Vavrek tregoi se kishte udhëtuar nga Presovi i Sllovakisë, rreth 300 kilometra deri në Budapest, për të marrë fluturimin drejt Barcelonës, së bashku me miqtë e familjes nga Kroacia, Krunoslav Pipinic dhe djali i tij, Kresimir, i cili gjithashtu kishte festuar ditëlindjen e tij të 18-të pak ditë para ndeshjes.

Ata kishin paguar gjithsej 5,600 euro për katër bileta të kategorisë së parë, me çmim prej 1,400 eurosh për secilën, të vendosura në sektorin 113, mes tifozëve të Barcelonës.

- Advertisement -

Vavrek tha se problemet filluan që në hyrje të stadiumit, kur sigurimi nuk i lejoi të hynin me fanellat e Real Madridit dhe, sipas tij, iu sugjeruan t’i hidhnin ato në koshin e mbeturinave.

Babë e bir refuzuan ta bënin këtë, i mblodhën fanellat për të kaluar kontrollin dhe i veshën pasi u ulën në vendet e tyre, rreth 20 minuta para ndeshjes.

Vavrek pretendon se kishin mbajtur fanellat veshur për një orë, deri sa sigurimi ndërhyri.

Ai mohon se kishte tentuar të provokonte tifozët vendas.

Incidenti ndodhi pas golit të parë të Real Madridit, rreth minutës së 40-të.

Vavrek dhe djali i tij u ngritën në këmbë për të festuar, por pak çaste më vonë, rreth një duzinë pjesëtarësh të sigurimit iu afruan dhe i larguan nga tribunat. “Ne nuk kryem asnjë akt dhune, nuk kërcënuam askënd dhe as nuk nxitëm dhunë.

Thjesht festuam golin duke u ngritur në këmbë dhe duke përqafuar njëri-tjetrin”, u shpreh ai.

Gjatë largimit, disa tifozë i fyen dhe i fishkëllyen, por ata nuk u kundërpërgjigjën.

Fillimisht, atyre iu tha se mund të ktheheshin në vendet e tyre nëse hiqnin fanellat e Real Madridit, por pas komunikimit të sigurimit me eprorët, kjo mundësi u anulua. “Na thanë se shumë tifozë të Barcelonës na kishin njohur tashmë dhe se nuk mund të garantonin sigurinë tonë.

Kishin frikë se mund të na sulmonin nëse ktheheshim në të njëjtat vende”, rrëfeu Vavrek.

Pas largimit nga stadiumi, policia ndërhyri, kontrolloi dokumentet e tyre dhe hartoi raporte për incidentin, ku përmendeshin shfaqja e fanellave dhe provokimi i tifozëve të Barcelonës, ndërsa sjellja e tyre u cilësua si e dhunshme ose si nxitje për dhunë.

Vavrek i kundërshton këto pretendime dhe kërkon që rasti të shqyrtohet përmes pamjeve filmike dhe dëshmive të personave të pranishëm.

Kontrolli zgjati rreth 45 minuta, gjatë të cilit ai ndoqi ndeshjen në telefon.

Më pas, së bashku me djalin e tij, morën një taksi drejt apartamentit, duke e ndjekur pjesën e mbetur të El Clasicos në ekranin e celularit, pavarësisht se kishin paguar mijëra euro për ta përjetuar ndeshjen nga stadiumi. “I premtova djalit tim se nuk do ta harronte El Clasicon e parë.

E mbajta premtimin tim”, tha Vavrek me ironi.

Ai pretendon se kërkoi rimbursim, por iu tha të paraqiste një ankesë zyrtare te Barcelona.

Deri në momentin kur foli për Marca, ai nuk e kishte dorëzuar ende ankesën me shkrim dhe nuk kishte marrë asnjë rimbursim.

- Advertisement -
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments