Baton Zabërgja vazhdon të spikatë në futbollin ukrainas, duke regjistruar një asistim në fitoren e Kharkivit ndaj Epitsentrit.
Kharkivi arriti të fitojë me rezultatin 2-1 në ndeshjen e vlefshme për xhiron e dhjetë të elitës së futbollit ukrainas.
Sulmuesi i kombëtares sonë ishte protagonist në golin e parë të skuadrës, duke asistuar në minutën e 48-të për Ramik Gadzhyevin, i cili shënoi për epërsinë 1-0. 25-vjeçari e përfundoi ndeshjen, ndërsa bashkëlojtari i tij, Ermir Rashica, u inkuadrua në lojë në minutën e 81-të.
Nga ana tjetër, te Epitsentri, Serjan Repaj luajti për të gjithë kohën.
Ky ishte asistimi i dytë për Zabërgjën në kampionatin ukrainas këtë sezon.
Ai gjithashtu ka realizuar gjashtë gola në kampionat, duke treguar formën e shkëlqyer që po kalon.




