Politik

Ilir Kërçeli: Rishikimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara është i Domosdoshëm

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka shprehur nevojën për rishikimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke theksuar rëndësinë e një pune të përbashkët nga të gjitha subjektet politike.

Kërçeli theksoi se është e nevojshme që dispozitat e këtij ligji të përmirësohen dhe të arrihet një dakordim para se të sillet sërish në Kuvend për votim.

Ai theksoi se LVV-ja nuk e konsideron veten përgjegjëse për votimin e këtij ligji, duke përmendur se partia kishte bërë thirrje për të mos u ngutuar me miratimin e tij. “LVV nuk e bënë aspak përgjegjëse për votimin e këtij ligji për Specialen, VV vazhdimisht ato ditë ka bërë thirrje që mos të ngutemi dhe mos ta votojmë një ligj për të cilin pastaj mund të dalemi keq dhe mund të kthehet nga Gjykata Kushtetuese.


- Advertisement -

Ishte pikërisht PDK që e kushtëzoi zgjedhjen e presidentes dhe vazhdimin e formimit të institucioneve, kjo ishte arsyeja që LVV ishte e sinqertë që deklaronte se nuk ish e interesuar për zgjedhje të reja”, ka thënë Kërçeli.

Ai gjithashtu theksoi se, edhe pse ligji është rikthyer në Kuvend, ka mundësi që grupet punuese të ulen dhe ta rishikojnë atë, duke përmirësuar pjesët që kanë zbrazëtira. “Ligji, edhe pse tashmë është rikthyer në Kuvend, mund të ulen grupet punuese ta shkruajnë dhe ta përmirësojnë aty ku mendojnë që ka zbrazësira.

LVV është zotuar dhe ka premtuar se përsëri do ta votojë ligjin.

Unë mendoj që tashmë ky ligj duhet të punohet nga të gjitha subjektet politike.

Mendoj që nga sot nuk i takon vetëm PDK-së që ta shkruajë dhe ta sjellë në Kuvend, mirëpo unë mendoj që kishte me qenë shumë mirë që të krijohet një grup i ekspertëve aty brenda Kuvendit dhe të punohet bashkërisht ky ligj dhe të ketë një dakordim të plotë të të gjitha subjekteve para se të sillet në Kuvend për votim”, është shprehur ai.

Duke folur për përmbajtjen e ligjit dhe ndikimin e mundshëm të tij në proceset gjyqësore në Hagë, Kërçeli ka theksuar se grupi që do të merret me hartimin e tij duhet të jetë i kujdesshëm, në mënyrë që të mos krijohen pasoja për krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor. “Mendoj që grupi i cili merret për ta shkruar këtë ligj për Dhomat e Specializuara, mendoj që do të kemi shumë kujdes se çfarë vendosin në këtë ligj dhe si mund t’i ndihmojmë krerët në Hagë.

Me aq sa kam dëgjuar nga deklaratat e oponentëve të ndryshëm, mendoj që kjo duhet t’i ndihmojmë për të ardhmen që të mos akuzohen dhe mos të burgosen pa pasur fakte dhe prova të barazueshme”, ka deklaruar Kërçeli.

Ai ka vlerësuar se Qeveria Kurti, sipas mundësive që ka pasur, ka bërë mjaftueshëm për t’i ndihmuar krerët e UÇK-së në Hagë, duke shtuar se ndërhyrjet e tjera politike mund të kenë ndikim negativ në proces. “Qeveria Kurti me aq mundësi që ka pasur, mendoj që ka bërë mjaftueshëm për të ndihmuar krerët e UÇK-së në Hagë me ato procedurat të cilat kanë qenë dhe të cilat janë vendosur atëherë kur është votuar ligji për Gjykatën Speciale.

Mendoj që ndonjë ndërhyrje tjetër politike do ta dëmtonte edhe më shumë procesin”, ka përfunduar Kërçeli.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -