Politik

SBASHK Kundërshton Kërkesën për Kontrata të Reja për Mësimdhënësit në Prishtinë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka shprehur kundërshtimin ndaj kërkesës së Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Prishtinë për përgatitjen e kontratave të reja për punëtorët e arsimit me marrëdhënie pune me afat të pacaktuar.

Në një reagim të publikuar të enjten, SBASHK-u ka kërkuar që ky proces të pezullohet deri në zhvillimin e negociatave me Sindikatën dhe harmonizimin e një modeli unik të kontratës për të gjitha komunat e Kosovës.

Sipas SBASHK-ut, kontratat aktuale janë hartuar në përputhje me Udhëzimin Administrativ të MASHT-it nr. 10/2015, pas një procesi negociues ku ka marrë pjesë edhe Sindikata.


- Advertisement -

SBASHK-u e konsideron të papranueshme që punëtorëve me kontrata valide t’u kërkohet nënshkrimi i kontratave të reja pa u sqaruar nevoja për ndryshim dhe pa u prezantuar paraprakisht drafti për shqyrtim. “Deri më tani, SBASHK-ut nuk i është prezantuar një model i plotë i kontratës së re për shqyrtim dhe negocim.

Prandaj, nuk mund të kërkohet nga punëtorët të nënshkruajnë dokumente, përmbajtja dhe pasojat e të cilave nuk janë shqyrtuar me përfaqësuesit e tyre sindikalë”, thuhet në reagim.

Sindikata i kërkon Konsorciumit të Drejtorëve të Drejtorive Komunale të Arsimit që të nisë negociatat për hartimin e një modeli unik të kontratës për të gjitha komunat, me garanci për mbrojtjen e të drejtave të fituara të punëtorëve.

SBASHK-u ka theksuar se nuk është kundër përmirësimit të dokumentacionit administrativ, por insiston që çdo ndryshim të bëhet përmes dialogut social dhe negociatave, pa cenuar të drejtat ekzistuese.

Thirrje mësimdhënësve të mos i nënshkruajnë kontratat e reja SBASHK-u u ka bërë thirrje punëtorëve të arsimit që tashmë kanë kontrata valide me afat të pacaktuar që të mos i nënshkruajnë kontratat e reja pa u negociuar dhe harmonizuar paraprakisht drafti me Sindikatën. “Kontratat aktuale janë valide dhe janë hartuar në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2015.

Derisa drafti i ri të shqyrtohet dhe të negociohet, nuk duhet të ketë nxitim për zëvendësimin e tyre”, thuhet në reagim.

Sindikata ka kërkuar nga kryetarët e shoqatave sindikale që t’i informojnë anëtarët për këtë qëndrim dhe të raportojnë çdo kërkesë apo presion lidhur me nënshkrimin e kontratave të reja.

Ky qëndrim, sipas SBASHK-ut, vlen për punëtorët që tashmë kanë kontrata valide me afat të pacaktuar, ndërsa kontratat për personat që hyjnë për herë të parë në marrëdhënie pune trajtohen veçmas, sipas procedurave dhe kërkesave ligjore.

SBASHK-u ka kërkuar nga DKA-ja në Prishtinë pezullimin e procesit deri në përfundimin e konsultimeve dhe negociatave, ndërsa ka ritheksuar gatishmërinë për të marrë pjesë në hartimin e një modeli të qartë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -