Politik

Ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara: Një Rrezik për Sundimin e Ligjit në Kosovë

Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë paraqet një rrezik të madh për sundimin e ligjit, besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Kështu vlerëson analistja austriake, Johanna Deimel, e cila në një intervistë për Radio Kosovën thekson ndikimin politik të kësaj nisme, trashëgiminë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimet në Serbi dhe të ardhmen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Deimel thekson nevojën për një qasje të përbashkët ndërpartiake dhe për rikthimin e besimit të partnerëve ndërkombëtarë përmes rrugëve diplomatike.


- Advertisement -

Radio Kosova: Si e interpretoni nismën e Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e ligjit që rregullon Dhomat e Specializuara?

Johanna Deimel: Së pari, do të doja të theksoja se vendimi u shpall në Hagë në një kohë kur Kosova po kalonte një fazë shumë të rëndë politike.

Kriza politike, sipas këndvështrimit tim, kishte arritur një pikë absolutisht kritike, në të cilën gjithnjë e më shumë po vihej në pikëpyetje funksionimi i institucioneve shtetërore.

Kjo nismë u paraqit në një periudhë të gjatë bllokade institucionale.

Po të mos ishte zgjedhur presidentja në momentin e fundit, vendi do të përballej me zgjedhje të reja dhe do të gjendej në një situatë edhe më të rëndë politike, sociale dhe ekonomike.

Në këtë aspekt, zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës ishte një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm politik, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Pika ime e radhës lidhur me këtë pyetje është se të dyja çështjet, pra ndryshimet e propozuara dhe zgjedhja e presidentes, u karakterizuan nga bashkëpunimi ndërmjet PDK-së dhe Vetëvendosjes.

Kriza politike u shmang fjalë për fjalë në momentin e fundit.

Kjo ndodhi sepse një nga kushtet e marrëveshjes për zgjedhjen e presidentes ishte që paraprakisht të miratoheshin këto ndryshime.

Sipas mendimit tim, ky ishte një veprim politik shumë i guximshëm, por edhe mjaft i rrezikshëm.

Megjithatë, ajo që mbetet tani është një çështje e rëndësishme, sepse ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe kufijtë e pushtetit parlamentar në raport me një gjyqësor të pavarur.

Në thelb, pyetja është nëse, në të ardhmen, çështjet gjyqësore do të zgjidhen përmes gjykatave të pavarura dhe mjeteve juridike, përkatësisht procedurave të ankimimit, apo nëse do të ndikohen nga presioni politik.

Kjo është një çështje themelore për funksionimin e sundimit të ligjit dhe madje edhe për besimin e qytetarëve në të.

Mesazhi politik i kësaj nisme është se ne mund t’i anashkalojmë detyrimet juridike ndërkombëtare që kemi marrë përsipër.

A e shihni këtë nismë kryesisht si një lëvizje të brendshme politike, si një përpjekje për t’iu përgjigjur opinionit publik apo si një sfidë ndaj bashkësisë ndërkombëtare?

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -