BlogPolitik

Miratimi i Reformës Territoriale në Kuvend: Ndarja e Re e Bashkive në Shqipëri

Kuvendi miratoi në orët e para të mëngjesit projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” me një votim të shumicës së cilësuar.

Pas një seance maratonë, Kuvendi miratoi me 85 vota pro ndarjen e re territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46 bashki, ndërsa 12 qarqet ekzistuese do të mbeten të pandryshuara.

Votimi në parim mori 84 vota pro, 34 kundër dhe asnjë abstenim.


- Advertisement -

Para se të kalonte në votim, deputeti demokrat, Tritan Shehu, kërkoi me propozim të 7 deputetëve që projektligji të kalonte me votim nominal.

Ai argumentoi se kjo kërkesë do të siguronte transparencë.

Kreu i Kuvendit e kaloi në votim propozimin, i cili u hodh poshtë me 84 vota kundër e 32 pro.

Më pas, seanca kaloi në procesin e votimit mes protestave të deputetëve demokratë.

Ata dolën para foltores dhe krijuan zhurma me vuvuzela në shenjë mosdakordësie me miratimin e reformës territoriale.

Deputetët e PD-së hodhën edhe sende të forta në drejtim të kreut të Kuvendit.

Me miratimin e hartës së re territoriale, 15 bashki do të bashkohen me njësi më të mëdha vendore, me synimin për të përmirësuar administrimin e territorit, menaxhimin e financave dhe ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët.

Konkretisht, 33 bashki do të mbeten të pandryshuara, ndërsa 28 bashki të tjera do të përfshihen në procesin e riorganizimit territorial.

Bashkitë që pritet të humbasin statusin e tyre janë Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Prrenjasi.

Fushë-Arrëzi do t’i bashkohet Pukës, Klosi do t’i bashkohet Matit, ndërsa Rrogozhina do t’i bashkohet Kavajës.

Në qarkun e Beratit, bashkitë Dimal dhe Poliçan do të bashkohen me Beratin.

Ndryshime parashikohen edhe në qarkun e Elbasanit, ku Cërriku dhe Belshi do t’i bashkohen Bashkisë Elbasan, ndërsa Prrenjasi do t’i bashkohet Librazhdin.

Në qarkun e Fierit, Patosi do të përfshihet në Bashkinë Fier dhe Divjaka në Bashkinë Lushnjë.

Territori do të organizohet në 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ku bashkia do të vijojë të ketë një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm, ndërsa qytetet do të kenë rol në koordinimin administrativ dhe organizimin e shërbimeve.

Reforma synon gjithashtu forcimin e autonomisë financiare të pushtetit vendor, rritjen e kapaciteteve administrative dhe përshtatjen e organizimit territorial me ndryshimet demografike dhe kërkesat e integrimit.

Votimi u zhvillua pas një seance të gjatë parlamentare të shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës për hartën e re territoriale, ndërkohë që jashtë godinës së Kuvendit u zhvilluan protesta kundër këtij organizimi territorial.

Kuvendi miratoi gjithashtu edhe pikat e tjera të rendit të ditës, ndërsa me propozimin e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u tërhoqën nga rendi dy projektligje dhe katër interpelancat e parashikuara, të cilat do të shtyhen për seancën e radhës.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *