Remitancat nga Mërgata: Një Mbështetje e Fortë për Kosovën
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë me dije se remitancat nga mërgata kanë arritur në 692 milionë euro gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti. “Për vite me radhë, nga çdo cep i Evropës e përtej Atlantikut, mërgata është pranë Kosovës.
Me punën, sakrificën dhe kontributin e saj, ajo është pranë Kosovës edhe sot, si një pjesë e fuqisë ekonomike dhe potencialit të saj për të ardhmen.
Vetëm në periudhën janar-qershor 2026, remitancat nga mërgata arritën në 692 milionë euro, ose 5.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një shifër që tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik; tregon lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi.
Tregon se sa fort mërgata jonë vazhdon ta mbajë Kosovën afër dhe të jetë pjesë e pazëvendësueshme e saj.
Këto mjete kanë një rol të rëndësishëm në mirëqenien e familjeve, konsum, kursime dhe investime, por gjithashtu në stabilitetin ekonomik e financiar të Kosovës.
Gjatë dekadës së fundit, remitancat kanë përbërë mesatarisht rreth 12% deri në 14% të BPV-së së Kosovës.
Të dashur bashkatdhetarë, ju që Kosovën nuk e latë kurrë.
E mbajtët në ditët më të vështira, gjatë luftës e pas luftës.
E mbani edhe sot ngrohtësisht në zemër.
Sepse Kosova, për ju, nuk është vetëm vendi prej nga keni ardhur, por është shtëpia që e mbani me vete, kudo që jetoni.
Për Kosovën tuaj, për këtë Republikë, për gjithçka që keni dhënë.
Mirënjohje përherë,” ka shkruar ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

