Drejtoria e Shëndetësisë Dënon Sulmin ndaj Infermieres në Kalabria
Drejtoria e Shëndetësisë e Kryeqytetit ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj një infermiereje të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), e cila u sulmua gjatë ushtrimit të detyrës në lagjen Kalabria.
Infermierja ishte duke ofruar shërbim shëndetësor në shtëpinë e një pacienti kur ndodhi ngjarja. “E dënojmë fuqishëm këtë akt dhune ndaj punonjëses sonë shëndetësore.
Sulmi ndaj profesionistëve që janë në detyrë për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për qytetarët është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë,” tha Drejtoria e Shëndetësisë.
Ata theksuan se siguria dhe dinjiteti i punonjësve shëndetësorë janë të panegociueshme.
Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe, sipas Drejtorisë, po trajtohet nga organet kompetente.
Drejtoria ka sqaruar se bëhet fjalë për një rast të izoluar dhe se sulmi nuk do të ndikojë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në terren. “Shërbimet në terren do të vazhdojnë normalisht, pa ndërprerje dhe me të njëjtin përkushtim ndaj çdo qytetari që ka nevojë për kujdes,” theksoi Drejtoria.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

