Shukri Buja: Emri im u përmend nga Dhomat e Specializuara, por nuk ka bazë për aktakuzë
Ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Buja, ka bërë të ditur se emri i tij është përmendur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, por sipas tij, ka marrë konfirmim se nuk ka asnjë bazë për ngritjen e aktakuzës ndaj tij.
Buja ka folur për procesin që lidhej me emrin e tij dhe për zhvillimet pas përmendjes së tij në hetimet e Dhomave të Specializuara. “Është përmendur emri im nga Gjykata Speciale.
Kam marrë konfirmim që nuk ka bazë për aktakuzë”, ka thënë Buja.
Ai ka bërë të ditur se emri i tij është përmendur tri herë nga Dhomat e Specializuara, duke theksuar se kjo nuk është e papritur duke marrë parasysh mënyrën se si Prokuroria ka ndërtuar rastin. “Nuk është çudi përmendja e emrit, sepse është ndërmarrje e përbashkët kriminale sipas Prokurorisë, e cila përfshin anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, komandantët e zonave, komandantët e brigadave, komandantët e policisë ushtarake, komandantët e batalioneve, gjithë strukturën ushtarake të UÇK-së”, ka deklaruar Buja.
Sipas tij, në këtë qasje të Prokurorisë përfshihet edhe Qeveria e Përkohshme dhe zyrtarët e saj, duke e cilësuar këtë si një akuzë të përgjithësuar ndaj strukturave të pasluftës. “Madje është edhe Qeveria e Përkohshme me zyrtarët e saj.
Një akuzë e përgjithësuar për krejt strukturat e pasluftës”, ka shtuar Buja në Dukagjini.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

