Një zyrtar i Agjencisë Pyjore të Kosovës është ndaluar nga Prokuroria Themelore në Gjilan nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari me inicialet S.H., zyrtar në Rajonin e Kamenicës, është ndaluar gjatë zbatimit të planit operativ ‘Gatishmëria 2026’, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe përmes aplikimit të masave të veçanta hetimore, përfshirë vëzhgimin me dron.
Prokuroria dyshon se ai ka tejkaluar kompetencat zyrtare duke damkosur dhe lëshuar fletë-përcjellje për masë drusore që dyshohet se ishte sjellë ilegalisht nga Serbia në fshatin Shahiq të Kamenicës. ‘Këto veprime, i pandehuri S.H, dyshohet me bazë ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)’, thuhet në njoftim.
Pas pranimit të kallëzimit penal, Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjilan për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
