Vetëvendosja: Serbia nuk ka distancim nga politika e Millosheviqit

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas deklaratës së fundit të një ministreje serbe, duke thënë se Serbia nuk ka bërë asnjëherë distancim nga politika e ish-presidentit Sllobodan Millosheviq.

Sipas Manxhukës, fakti që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë ministër në qeverinë e Millosheviqit dhe deklarimet e tij ndaj Republikës së Kosovës dëshmojnë vazhdimësinë e së njëjtës qasje politike.

Ai tha se deklarata e ministres serbe, e cila u shpreh se po të ishte në pozitën e Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën, është në përputhje me këtë frymë. “Millosheviqi bëri spastrim etnik në Kosovë, ndërsa për pothuajse 27 vite elitat në Serbi kanë vazhduar të njëjtën mendësi, të përshtatur me rrethanat e reja”, deklaroi Manxhuka.


- Advertisement -

Ai përmendi edhe deklarimin e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili, sipas tij, tha se Milan Radojçiq “nuk është kriminel”, ndonëse e cilësoi atë si prijës të sulmit terrorist të shtatorit 2023 në veri të Kosovës.

Po ashtu, Manxhuka akuzoi shtetin serb se në Luginën e Preshevës po zbaton “spastrim etnik administrativ” ndaj shqiptarëve.

Në fund, zëdhënësi i Vetëvendosjes u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë që ta kenë parasysh këtë retorikë në raportet me Serbinë. “Ne jemi shumë të vetëdijshëm se me kë kemi të bëjmë. Është mirë që të gjithë, përveçse ta dënojnë këtë gjuhë, ta kenë në mendje kur flasin me Serbinë për integrim, reforma dhe fonde, si dhe ta kuptojnë se këto nuk janë thjesht deklarime, por aspirata nga të cilat shteti zyrtar i Serbisë nuk ka hequr dorë”, ka deklaruar Manxhuka.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *