Artistja e njohur shqiptare, Vesa Luma, ka reaguar së fundmi pas raportimeve që sugjeronin se kënga “Valle Kosovare”, e interpretuar nga Shpat Kasapi, është vjedhur nga një këngëtar bullgar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vesa nuk u ndal vetëm tek kjo situatë, por kritikoi edhe reperen Tayna, duke theksuar rëndësinë e të drejtës autoriale dhe respektit për punën e artistëve. “Prandaj kolege e kolegë, është tepër e rëndësishme e drejta autoriale (se çka s’keni thënë kur i kam mbrojtë ‘me dhëmbë’, krijimet e mia)… sepse një ditë kur nuk jemi më, përfitojnë të tjerët nga mundi e djersa jote, në vend se të përfitojnë fëmijët ose familja!
Ose kur plakemi, ndonjë artist i momentit blehet me 250 euro”, shkroi Luma në reagimin e saj, duke u shprehur hapur për padrejtësitë që shpesh ndodhin në industrinë muzikore.
Kujtojmë se më parë këngëtarja Alida Hisku kishte folur për rikthimin e zërit të saj në këngën “Thana” të Tayna-s, e cila fillon me refrenin e këngës së saj “Vajzat e fshatit tim”.
Pas diskutimeve, Tayna e kishte kontaktuar Alidën për bashkëpunim dhe i kishte propozuar përdorimin e zërit të saj.
Megjithatë, menaxhmenti i Tayna-s i kishte dhënë Alidës një pagesë simbolike prej 250 eurosh, gjë që kishte nxitur reagime dhe debat mes artistëve dhe fansave.
