Shiu që nuk po ndalej, ia nxori gjumin në orët e hershme të mëngjesit të 6 janarit Jeton Ibrahimit. 47-vjeçari nga Gjakova u zgjua me të bërtiturat e bashkëshortes, e cila po e alarmonte gjithë familjen që të zgjoheshin sepse shtëpia u ishte mbushur me ujë.
Vetëm me rrobat e trupit, Jetoni me 12 anëtarë të familjes dolën nga shtëpia duke lënë gjithçka mbrapa.
Nga larg duke shikuar shtëpinë që ishte mbuluar nga uji i të reshurave, 47-vjeçari për KIKS Kosovën tha se me të njëjtën situatë përballen çdo vit.
Edhe pse ishte bërë tanimë mesditë, Jetoni thotë se fëmijët po ngrijnë së ftohti e madje ende nuk kanë ngrënë asgjë sepse vërshimet i kanë lënë të ngujuar.
KIKS Kosova ka provuar të kontaktojë me Komunën e Gjakovës, mirëpo nga komunarët telefoni nuk u hap.
Një gjendje aspak më ndryshe mbretëron edhe në komunën e Klinës.
Banorët e fshatrave dhe qytetit të Klinës po përballen me vërshime të mëdha si pasojë e reshjeve të fillimjanarit të vitit 2026.
Me të qenë në terren, kryetari i këtij qyteti Zenun Elezaj thotë se për shkak të reshjeve, të gjithë lumenjtë kanë dalë nga shtrati.
Për KIKS Kosovën, Elezaj tha se nëse të reshurat nuk pushojnë, situata do të rëndohet.
I pyetur se ku po ngecin institucionet që vërshimet e përvitshme të parandalohen, Elezaj thotë se këto janë ndryshime klimatike dhe nuk mund të menaxhohen.
Për KIKS Kosovën, i pari i qytetit të Klinës tha se çdo vit po investojnë në pastrimin e lumenjve, mirëpo vërshimet nuk po mund të evitohen.
