Tom Holland pritet të marrë 25 milionë dollarë për rolin e tij në ‘Spider-Man: Brand New Day’

Tom Holland pritet të arkëtojë mes 20 dhe 25 milionë dollarë për rolin e tij në filmin ‘Spider-Man: Brand New Day’, një shumë që përfshin honorarin bazë dhe bonuset e lidhura me suksesin e filmit në arkat kinematografike.

Filmi i ri aksion, me regji të Destin Daniel Cretton, ka nisur me një sukses të jashtëzakonshëm, duke thyer rekordin amerikan të vendosur më parë nga ‘Avengers: Endgame’ për të ardhurat gjatë fundjavës së parë të shfaqjes, raporton The Hollywood Reporter.

Rruga e Tom Holland drejt një prej aktorëve më të paguar të Marvel ka qenë e shpejtë.


- Advertisement -

Kur iu bashkua Universit Kinematografik të Marvel në vitin 2016 me filmin ‘Captain America: Civil War’, ai fitoi rreth 250 mijë dollarë, sipas të dhënave të CheatSheet.

Një vit më vonë, për ‘Spider-Man: Homecoming’ (2017), ai përfitoi 1.5 milionë dollarë, ku 500 mijë ishin honorar bazë, ndërsa pjesa tjetër erdhi nga bonuset.

Në vitin 2019, për ‘Spider-Man: Far From Home’, paga e tij u rrit në rreth 4 milionë dollarë, ndërsa për ‘Spider-Man: No Way Home’ (2021) besohet se fitoi rreth 10 milionë dollarë.

Tani, me ‘Spider-Man: Brand New Day’, aktori britanik pritet të marrë shumën më të madhe të karrierës së tij në këtë rol.

Për krahasim, Andrew Garfield fitoi 500 mijë dollarë për ‘The Amazing Spider-Man’ në vitin 2012, ndërsa për vazhdimin e vitit 2014 honorari i tij u rrit në mes 1 dhe 2 milionë dollarëve, sipas Deadline.

Ndërkohë, Tobey Maguire, aktori i parë që solli Spider-Man në ekranin e madh, fitoi 4 milionë dollarë për filmin e vitit 2002.

Për ‘Spider-Man 2’ (2004), honorari i tij u rrit në 17.5 milionë dollarë, ndërsa për filmin e tretë në vitin 2007 ai përfitoi 15 milionë dollarë si pagesë fikse, plus 7.5 për qind të fitimeve totale të filmit, sipas Just Jared.

Suksesi i filmit nuk është reflektuar vetëm në honorarin e aktorëve.

The Hollywood Reporter raportoi se ‘Spider-Man: Brand New Day’ ka tejkaluar tashmë shifrën e 1 miliard dollarëve në të ardhura globale nga kinematë.

Sipas Sony Pictures, filmi, ku luajnë edhe Zendaya dhe Sadie Sink, ka gjeneruar 1.05 miliardë dollarë në vetëm gjashtë ditë shfaqjeje, duke u bërë vetëm filmi i dytë në histori që arrin këtë sukses në një periudhë kaq të shkurtër.

Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *