Stilistja e njohur Njomëza Luci nuk i shpëton vëmendja e publikut as këtë herë.
Ajo ka dizajnuar kapelën mbretërore të Blerta Celibashit, fotografe dhe grua e Princit Leka, trashëgimtarit të Zogut, në ceremoninë e martesës së tyre të paharrueshme që u zhvillua pak ditë më parë.
Njomëza Luci është një nga figurat më të njohura dhe më kreative të industrisë së modës, e njohur për kombinimin unik të Couture-it britanik dhe stilit kosovar, me mjeshtëri të lartë në artin e trikotazhit dhe dizajnit të kapelave.
Ajo ka punuar për të dy gjinitë dhe ka krijuar linja të veçanta që lidhin artin, modën dhe estetikën e lartë.
Karriera e saj nisi që në fëmijëri, frymëzuar nga aktorë të njohur të ish-Jugosllavisë si Faruk Begolli dhe Melihate Qena.
Ajo ka përfunduar Fakultetin e Arteve në departamentin e Dizajnit Grafik dhe ka kontribuar në teatrin ‘Dodona’ dhe atë Kombëtar me kostume, skenografi dhe punë me kukulla.
Karriera e saj profesionale ka kaluar edhe në fotografi, restaurim të objekteve historike dhe arte vizuale, duke i dhënë modës një dimension të veçantë artistik.
Njomëza ka prezantuar koleksione të suksesshme që nga viti 2004, ku linja e saj e parë e kapelave ‘Art in Fashion’ përfshinte 50 kapela retro dhe vintage, të shoqëruara me 50 fustane mëndafshi.
Sot, ajo është koka e stilit në Televizionin Publik të Kosovës, bashkëpunon me Qendrën e Kinematografisë, Teatrin Kombëtar dhe Teatrin ‘Dodona’.
Linja e saj e modës, Atelier/NL, shitet në Paris, London dhe Shanghai, duke e bërë Njomëzën një nga dizajneret më të respektuara në botën e modës luksoze.
