Skandal në Ferizaj: Dyshohet për Mashtrim dhe Keqpërdorime me Prona vlerë 3 milionë euro

Policia e Kosovës ka njoftuar se në vazhdën e hetimeve për një rast të mashtrimit dhe keqpërdorimeve me prona, sot më 2 prill 2026 ka intervistuar një person të dyshuar me inicialet B.L. (1990).

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari po hetohet për disa vepra penale, përfshirë “Mashtrimin”, “Falsifikimin e dokumenteve” dhe “Legalizimin e përmbajtjes së rreme”, të cilat dyshohet se i ka kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, raporton KlanKosova.tv.

Hetimet kanë zbuluar dyshime të bazuara se të dyshuarit kanë falsifikuar dokumente identifikimi dhe certifikata pronësie të një pale ankues, duke arritur kështu të tjetërsojnë në mënyrë të kundërligjshme një pronë me sipërfaqe prej shtatë hektarësh në komunën e Ferizajt.


- Advertisement -

Vlera e përafërt e kësaj prone në treg llogaritet rreth 3 milionë euro.

Sipas Policisë, prona më pas është parcelizuar dhe shitur tek persona të tretë.

Në kuadër të hetimeve, me urdhër të gjykatës është kryer bastisje në një lokacion, ku janë sekuestruar një telefon mobil dhe dokumente që ndërlidhen me rastin.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se lidhur me këtë rast, më 19 shkurt 2026 janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, të cilët po ashtu dyshohen për përfshirje në këtë skemë kriminale.

Autoritetet theksojnë se hetimet janë duke vazhduar, ndërsa Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit dhe garantimin e sundimit të ligjit në vend.


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *