Sindikalistët e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë reaguar ndaj Qeverisë së Kosovës për mosndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e KEK-ut.
Sindikata e Re e KEK-ut ka thënë se nga ky vendim i ekzekutivit janë lënë jashtë punëtorët e kësaj korporate, por edhe të disa ndërmarrje tjera. ‘Edhe ne jemi Kosovë!
Ne jemi ata që çdo ditë punojmë pa u ndalur, në kushte të rënda, mes rrezikut dhe sakrificës, për të mbajtur dritën ndezur në çdo shtëpi të këtij vendi.
Ne nuk jemi thjesht punëtorë – ne jemi shtylla që e mban Kosovën funksionale.
Ne kemi familje.
Kemi fëmijë në shkolla.
Kemi prindër të sëmurë.
Kemi halle dhe sfida si çdo qytetar tjetër.
Por, pavarësisht gjithçkaje, ne nuk ndalemi kurrë.
Punëtorët e KEK-ut janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit, duke gjeneruar miliona euro çdo vit.’, thuhet në reagimin e tyre.
Kjo sindikatë ka thënë se punëtorët e KEK-ut padrejtësisht po lihen anash.
Kundër kësaj, ata kanë paralajmëruar mbajtjen e një konference për të enjten, para objektit të Qeverisë së Kosovës.
