Aktori i njohur Rezart Veleshnja ka qenë i pranishëm në ceremoninë mortore të këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, i cili u përcoll për në banesën e fundit në Tetovë – qytetin ku ai lindi, u rrit dhe la gjurmët e para në art.
Veleshnja, i cili e kishte mik të ngushtë artistin, është prekur thellë gjatë homazheve. Emocionet e tij u reflektuan edhe në një postim të ndjerë që aktori ndau në rrjetet sociale. Në Instagram, ai shkroi:
“Mbi tre mijë njerëz për ty o vëllai im Shpat. Kaq zemër të mirë kishe.”
Ai shtoi edhe një mesazh të shkurtër, por të dhimbshëm:
“Lamtumirë Shpat.”
Ceremonia mortore është ndjekur nga një numër i jashtëzakonshëm familjarësh, miqsh, kolegësh të skenës dhe fansash, të cilët u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit 40-vjeçar. Atmosfera ishte e rëndë dhe plot dhimbje, ndërsa shumë prej të pranishmëve mbanin fotografi të Shpatit dhe vendosnin lule mbi arkëmort.
Shpat Kasapi do të kujtohet si një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare, me shumë hite që mbeten në zemrat e publikut dhe një trashëgimi artistike që do të jetojë gjatë.


