Dhomat e Specializuara, sot e kanë publikuar një njoftim në platformën X, ku thuhet se gjyqtarët në Hagë sigurojnë që të drejtat e të akuzuarve respektohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Këshilli i Evropës përmes Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Lidhur me këtë deklarim të Speciales, ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
OVL e UÇK-së në reagimin e tyre thekson se realiteti i procesit gjyqësor nuk përputhet me pretendimet për respektim të plotë të të drejtave. ‘Mos provoni të hidhni hi syve popullit tonë me deklarata të tilla, kinse gjatë këtij procesi janë respektuar plotësisht të drejtat e të akuzuarve dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës’, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së transmeton Klankosova.tv.
Sipas kësaj organizate, qytetarët e Kosovës e kanë parë gjatë viteve të fundit se si janë trajtuar të drejtat e të akuzuarve në këtë proces. ‘Populli i Kosovës e ka kuptuar shumë qartë, gjatë gjithë këtyre viteve, se sa herë janë shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe sa është respektuar realisht Kushtetuta e vendit tonë’, theksohet tutje në këtë njoftim.
