Një rast tjetër i shpërndarjes së lëndëve narkotike është goditur në qytetin e Vlorës, ku dy adoleshentë dyshohet se furnizonin me drogë bashkëmoshatarët e tyre.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Bazuar në informacione operative, efektivët ushtruan kontrolle në disa zona të qytetit, si dhe në akset kryesore rrugore.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, në lagjen “Pavarësia”, u ndaluan dhe u kontrolluan dy të mitur të dyshuar për shpërndarje droge.
Nga kontrolli fizik ndaj 17-vjeçarit me iniciale D.M., policia gjeti në çantën e tij dhe në mbajtësen e kufjeve 10 doza të mbështjella me qese plastike, të dyshuara si kokainë.
Gjithashtu, në xhepin e tij u sekuestrua edhe një sasi kanabisi e mbështjellë me letër alumini.
Të gjitha lëndët narkotike u sekuestruan si prova materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë 17-vjeçarin, ndërsa 16-vjeçari u lirua në procedurë të rregullt.
