Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti që të angazhohet për ndërtimin e një koalicioni funksional dhe për të siguruar zgjedhjen e presidentit. ‘E inkurajoj kryeministrin Kurti të tregojë burrështetësi për të ndërtuar një koalicion funksional dhe për të siguruar zgjedhjen e presidentit’, ka shkruar Terras në një postim në platformën X, pas takimeve të zhvilluara në Kosovë. ‘Kosovës i duhen institucione stabile për të avancuar në rrugën drejt BE-së’, ka shtuar ai.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, ka qëndruar gjatë të martës në Kosovë, ku është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.
Në një tjetër postim në X, Terras ka bërë të ditur se gjatë takimeve ka diskutuar për politikën në Kosovë dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian, ku ka theksuar se e se e ardhmja e Kosovës qëndron në BE. ‘Këtë mëngjes u takova me Albulena Haxhiun, Glauk Konjufcën dhe Bedri Hamzën.
Diskutuam për politikën në Kosovë dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian.
E ardhmja e Kosovës qëndron në Bashkimin Evropian, por anëtarësimi kërkon reforma.
Ne po punojmë për këtë’, ka shkruar Terras.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





