Misioni faktmbledhës i Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve ka prezantuar raportin për gjendjen e lirisë së medias në Kosovë, duke ngritur shqetësime për përkeqësimin e klimës në të cilën punojnë gazetarët, raporton Ekonomia Online.
Në prezantimin e raportit u tha se gjatë takimeve me drejtues mediash, gazetarë nga terreni, Komisionit të Pavarur për Media, gjyqësorit, prokurorisë dhe përfaqësues të pranishëm ndërkombëtarë, janë identifikuar një sërë problemesh që ndikojnë në lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura në raport është nxitja e urrejtjes dhe retorika stigmatizuese ndaj gazetarëve nga përfaqësues të pushtetit, e cila, sipas autorëve të raportit, ka kontribuar në krijimin e një klime armiqësore ndaj medias.
Po ashtu u theksua se gazetarët vazhdojnë të përballen me presione politike, sulme verbale dhe sfida në ushtrimin e profesionit të tyre.
Raporti trajton edhe çështje që lidhen me funksionimin e transmetuesit publik RTK, Komisionin e Pavarur për Media, qasjen në dokumente publike, sigurinë e gazetarëve, kushtet e punës, si dhe nevojën për përmirësimin e legjislacionit në përputhje me standardet evropiane.
Përfaqësuesit e misionit bënë thirrje që institucionet e Kosovës të ndërmarrin hapa konkretë për mbrojtjen e gazetarëve, uljen e tensioneve në diskursin publik dhe forcimin e lirisë së medias, duke theksuar se rekomandimet e raportit synojnë përmirësimin e mjedisit mediatik dhe garantimin e një gazetarie të lirë dhe të sigurt.
Juristja e medias Flutura Kusari ka thënë se liria e medias në Kosovë ka shënuar rënie, sipas gjetjeve të raportit të misionit faktmbledhës nga Platforma e Këshillit të Evropës. ‘Disa standarde të lirisë së mediave janë cënuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Si rezultat, nga një nivel i qëndrueshëm i lirisë së mediave në një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian vendi ka kaluar në një periudhë përkeqësimi gjatë tri viteve të fundit e nxitur kryesisht nga faktorë politikë.
Këto zhvillime e kanë cenuar trajektoren e mëparshme positive të Kosovës për lirinë e shtypit dhe zhvillimin e mediave që nga pavarësia e vendit në vitin 2008’, ka thënë ajo./EO Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





