Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian ka miratuar sot me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenim, raportin për Shqipërinë, ku vlerësohet angazhimi i vendit për t’u bërë pjesë e BE-së si dhe inkurajohet vijimi i ritmit aktual të reformave për t’u anëtarësuar në Union.
Raporti, siç shkruan TopChannel, ka përshëndetur ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 dhe ka përshëndetur “progresin e shpejtë” të bërë vitet e fundit.
Po ashtu, ka theksuar nevojën për të siguruar zbatimin e plotë të legjislacionit.
Në raport vihet theksi te korrupsioni, i cili konsiderohet sërish shqetësim serioz, teksa bëhet thirrje për garantimin e pavarësisë së SPAK-ut.
Eurodeputetët përmendin faktin se në vitin 2025, krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka rënë nga vendi i 91-të në vendin e 80 dhe shtojnë se “Shqipëria duhet të forcojë më tej kapacitetet e posaçme policore, të konsolidojë rezultatet në hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”.
Raporti ndalet gjithashtu edhe te çështja e imunitetit parlamentar për të cilin thotë: “Rikujton se imuniteti parlamentar është pjesë e kuadrit kushtetues të projektuar për të garantuar funksionimin e duhur të institucioneve demokratike; thekson se çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret në përputhje të rreptë me dispozitat kushtetuese dhe procedurat ligjore të vendosura, pa ndërhyrje politike dhe pa vonesa të panevojshme”.
Në të njëjtën kohë, eurodeputetët përmes amendamenteve të tyre kanë konfirmuar qëndrimin e pandryshuar sa i përket pavarësisë së SPAK-ut dhe ndalimin e kërcënimeve ndaj gjyqësorit. “mirëpret punën e vazhdueshme të institucioneve të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë SPAK-un, dhe kërkon garantimin e pavarësisë së tyre të qëndrueshme, burimeve të mjaftueshme dhe kapacitetit operacional, pa kufizuar kompetencat hetimore dhe pa minuar punën e tyre;…rikujton se gjyqësori vazhdon të përballet me presione dhe kërcënime politike që rrezikojnë të minojnë pavarësinë e tij; nënvizon rëndësinë e zbatimit në kohë dhe të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ, si një element thelbësor i shtetit të së drejtës dhe balancës institucionale”, vijon më tej raporti.
KOMPROMISI 1 (mbi paragrafët hyrës) KOMPROMISI 2 (mbi kapitullin “Shteti i së drejtës, gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit”) Shteti i së drejtës, gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit 6 a.
Rikujton se imuniteti parlamentar është pjesë e kuadrit kushtetues të projektuar për të garantuar funksionimin e duhur të institucioneve demokratike; thekson se çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret në përputhje të rreptë me dispozitat kushtetuese dhe procedurat ligjore të vendosura, pa ndërhyrje politike dhe pa vonesa të panevojshme; 9 a.
I bën thirrje Shqipërisë të bëjë përparim vendimtar në regjistrimin fillestar të pronave dhe në kompensimin e drejtë dhe të pranuar gjerësisht, duke përmirësuar transparencën e kadastrës shtetërore dhe cilësinë e të dhënave kadastrale në regjistrin e pasurive të paluajtshme, si dhe të sigurojë që e drejta për një proces të rregullt gjyqësor dhe e drejta për mbrojtje gjyqësore efektive të respektohen në rastet e shpronësimit dhe largimit nga pasuria e paluajtshme; 10 a.
Mirëpret faktin që bankat në Shqipëri kanë filluar zyrtarisht ekzekutimin e transaksioneve ndërkufitare në euro përmes sistemit SEPA; vlerëson autoritetet për përpjekjet e forta në luftën kundër pastrimit të parave përmes miratimit të Strategjisë Kombëtare për Luftën kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2024–2030; vëren nismën “Cashless Albania” që synon të adresojë nivelin e lartë të informalitetit dhe flukset e paligjshme të parasë në cash.
Reforma e administratës publike dhe qeverisja 14 a.
Shpreh shqetësim se kuadri ligjor për prokurimet publike, si dhe legjislacioni për të drejtën e shoqërive tregtare, nuk janë plotësisht të përafruara me acquis të BE-së; i bën thirrje autoriteteve të vazhdojnë përpjekjet për të përafruar plotësisht legjislacionin e Shqipërisë me acquis të BE-së; kërkon forcimin e mbikëqyrjes parlamentare, auditimeve të pavarura dhe transparencës së plotë në procedurat e prokurimit publik, për të siguruar përputhshmërinë me standardet e BE-së për konkurrencën, mbrojtjen e të dhënave dhe luftën kundër korrupsionit; 14 b.
Mirëpret punën në vijim të komisionit parlamentar ndërpartiak për reformën territoriale; thekson se çdo reformë në këtë fushë duhet të zhvillohet përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe të bazohet në kritere objektive socio-ekonomike dhe standardet evropiane të vetëqeverisjes vendore; Reformat socio-ekonomike dhe mjedisi 19 a.
Spreh keqardhje të thellë për zgjatjen e Ligjit të vitit 2015 për Investimet Strategjike, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara lejesh dhe reduktim të kontrollit mjedisor, të cilat rrezikojnë të ndikojnë negativisht në zonat e mbrojtura dhe zona të tjera të ndjeshme mjedisore; bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda këtyre zonave dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes tek Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar mbikëqyrjen mjedisore.
Politika e jashtme dhe bashkëpunimi rajonal 20 a.
Thekson se pjesëmarrja në nisma dhe organizata ndërkombëtare duhet të mbetet në përputhje me vlerat e BE-së, stabilitetin rajonal dhe objektivat e integrimit evropian të Shqipërisë; nënvizon rëndësinë e transparencës dhe mbikëqyrjes së duhur parlamentare në vendimet që lidhen me angazhimet ndërkombëtare;
