Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, po realizohen dy aksione në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Aksionet janë të urdhëruara nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe përfshijnë bastisjen e pesë personave zyrtarë dhe dy personave civilë për përfshirje në veprimtari kriminale, si keqpërdorim i pozitës zyrtare, marrje deklaratash me shtrëngim, mashtrim, dhe dhënie ryshfeti.
Hetuesia dyshon se persona të dyshuar kanë siguruar përfitime të kundërligjshme përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore.
Zyrtarët e përfshirë dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare për përfitime të kundërligjshme.
Prokuroria Themelore në Prishtinë vlerëson bashkëpunimin me institucionet për luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, duke premtuar veprime të nevojshme në përputhje me ligjin.
