Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit R.K nga komuna e Skenderajt, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të frikësimit gjatë procedurës penale dhe të armëmbajtjes pa leje.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 21 Mars 2026, në restorantin “Mero” në Fushë Kosovë ka kanosur dëshmitarin me vrasje, derisa ai ishte në një aheng familjar. “Derisa i dëmtuari ka qenë në një dasëm me familjarë, i pandehuri i cili nuk ishte mysafirë në këtë dasëm ka hyrë në tualet pas tij dhe ka kanosur me fjalët se “vetëm qenke me fëmijë se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lan”, i cili kërcënim ka shkaktuar ankth dhe frikë tek i dëmtuari i cili në procedurën penale në rastin “Brezovica” ka dhënë dëshmi në cilësi të dëshmitarit bashkëpunës kundër disa të pandehurve e në mesin e të cilit ka qenë edhe i pandehuri R.K., për shkak të dyshimit të veprës penale “Shmangia nga tatimi”.
Gjithashtu, aty thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se ka poseduar armë pa leje.
Për të dy veprat penale, I dyshuari pas arrestimit ndodhet nën masën e ndalimit prej 48-orësh.
