Procesi zgjedhor në Kosovë po vazhdon të jetë në fazën e shqyrtimit të ankesave, ndërsa shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha vendimmarrjet nga institucionet përkatëse.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se ky institucion është duke pritur përfundimin e shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve kompetente, para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të procesit zgjedhor të 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës.
Sipas Elezit, KQZ-ja do të veprojë në përputhje me vendimet që dalin nga instancat përkatëse, në rast se ato përmbajnë obligime konkrete për zbatim nga ana e institucionit zgjedhor.
Kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu e Qëndrim Kryeziu, dje janë ankuar në Gjykatën Supreme për të kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të kësaj partie, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) para dy ditësh hodhi poshtë ankesat e tyre.
KQZ-ja thekson se vetëm pas përfundimit të të gjitha afateve ligjore dhe vendimeve përfundimtare, procesi i zgjedhjeve mund të konsiderohet i mbyllur në aspektin administrativ.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




