Procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës po hyn në një fazë vendimtare, teksa kanë mbetur edhe 10 ditë deri në afatin kushtetues.
Gjatë kësaj periudhe kanë vazhduar takimet dhe kontaktet politike mes liderëve të partive, përfshirë edhe ato mes kryeministrit, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të cilat kanë qenë më të shpeshta se me atë të PDK-së.
Megjithatë, pavarësisht këtyre diskutimeve politike, deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje për emrin e presidentit të ri.
Sipas vlerësimeve nga Instituti Demokratik i Kosovës, ende nuk ka sinjale konkrete për një ujdi politike mes partive parlamentare, pavarësisht komunikimeve dhe deklarimeve publike.
Lidhur me këtë, për Klankosova.tv është deklaruar Eugen Cakolli, i cili tha se aktualisht nuk vërehet ndonjë afrim real mes partive politike për emrin e presidentit dhe sipas tij, procesi nuk po zhvillohet si negociim i mirëfilltë, por më shumë si pritje strategjike mes palëve, ku secila po tenton të mos lëshojë terren pa garanci të qarta politike.
Cakolli theksoi se një nga problemet kryesore mbetet mungesa e besimit mes palëve, gjë që po e bën të vështirë çdo tentativë për kompromis.
Sipas tij, situata komplikohet edhe nga paqartësitë procedurale dhe kushtetuese, të cilat në këtë fazë mund të bëhen vendimtare për ecurinë e procesit.
Sa i përket rolit të opozitës, Cakolli tha se pa bashkëpunim mes PDK-së dhe LDK-së vështirë se vendi mund të ketë një kandidaturë konsensuale.
Cakolli përfundoi se problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e opsioneve politike, por te mungesa e gatishmërisë për kompromis.
Sipas tij, të gjitha palët janë duke pritur njëra-tjetrën për hapin e parë, ndërkohë që afati kushtetues po afrohet dhe rreziku i bllokimit institucional po rritet. /Klankosova.tv
