Policia e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin e saj për hetimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës, duke theksuar se autorët e këtyre krimeve duhet të identifikohen dhe të përballen me drejtësinë.
Drejtori i Përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me prokurorin e Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, drejtorin e Departamentit të Hetimeve, Agron Nezaj, dhe drejtorin e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Bashkim Spahiu, vizituan të enjten fshatrat Abri e Epërme dhe Poklek i Vjetër në Drenas, ku gjatë luftës u kryen disa nga masakrat më të rënda ndaj popullsisë civile shqiptare.
Delegacioni institucional u takua me familjarët e viktimave, Imer Deliu dhe Fadil Muqolli, të cilët ndanë dëshmitë e tyre për ngjarjet tragjike.
Policia e Kosovës theksoi se do të vazhdojë, në koordinim me Prokurorinë Speciale dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, hetimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës, duke trajtuar me seriozitet çdo dëshmi dhe informacion të ri.
Ruajtja e kujtesës për viktimat, mbështetja për familjet e tyre dhe vendosja e drejtësisë mbeten obligim institucional dhe moral i Republikës së Kosovës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





