Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ia ka pezulluar lejen ekspozitës së hapur në kryeqytet me temën ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, ekspozitë kjo e realizuar me mbështetje financiare nga Kuvendi i Kosovës.
Arsyeja e pezullimit ka të bëjë me skandalin që është zbuluar se në përshkrimin e masakrës së burgut të Dubravës, ndër të tjera thuhet se prej të vrarëve, 48 të burgosur shqiptarë figurojnë si të armatosur. ‘Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojmë lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës’. ‘Njëkohësisht, kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze’, shkroi Rama.
Kreu i kryeqytetit tha se ‘ekspozita paraqet një version të pasaktë të Masakrës së Dubravës’ dhe se për të, ‘kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës’.
Organizatorët e ekspozitës, kanë sqaruar se janë bazuar në të dhënat e Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq.
Një sqarim e ka dhënë edhe Shkelzen Gashi, i cili ka shkruar se në sheshin ‘Nëna Terezë’ në Prishtinë vazhdon të jetë e hapur për publikun ekspozita ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, e organizuar nga ADMOVERE dhe INTEGRA.
Sipas tij, kjo ekspozitë paraqet në mënyrë kronologjike 49 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), nga gjithsej 105 masakra të evidentuara deri më tani. ‘Për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, jemi mbështetur në listën e të vrarëve nga ‘Libër Kujtimi i Kosovës’ i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq.
Në libër e kemi sqaruar se në këtë listë të të vrarëve të HLC-së, për disa masakra individë të vrarë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes ata ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar’, ka shkruar Gashi.
