Në akademinë përkujtimore që i ishte kushtuar heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës në Banjskë, vajza e tij, Arbenita Bunjaku, ka ndarë me ndjenja të thella kujtimet për babain e saj.
Ajo shprehu se për të dhe për familjen, përkujtimi i kësaj dite mbetet një dhimbje e madhe, ndërsa kujtimi për babain vazhdon të jetë i mbushur me dashuri dhe krenari. “Është një nder dhe përgjegjësi, por edhe një dhimbje shumë e madhe për mua sot në këtë akademi përkujtimore të flas për babain tim, heroin Afrim Bunjakun, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës”, u shpreh Arbenita.
Ajo theksoi se data 24 shtatori 2023 është një moment historik për Kosovën, ndërsa për familjen e saj përfaqëson humbjen e një njeriu të dashur. “Për Kosovën ajo ditë në Banjskë është pjesë e historisë, por për mua dhe familjen time është humbja e një pjese të zemrës, humbja e babait, bashkëshortit dhe vëllait”, tha ajo.
Duke përkujtuar ngjarjen e 24 shtatorit 2023, Arbenita nënvizoi se babai i saj ra duke mbajtur besnikërinë ndaj uniformës dhe vendit të tij. “Më 24 shtator 2023 në Banjskë, babai ynë ra në krye të detyrës duke i qëndruar besnik uniformës dhe vendit të tij”, theksoi ajo.
Tre vjet pas rënies së tij, ajo vuri në dukje se mungesa e babait vazhdon të ndihet njësoj. “Tre vite pas, mungesa e tij ndihet po njësoj.
Ka një boshllëk aq të madh sa as koha, as fjalët dhe as vitet nuk mund ta mbushin dot”, deklaroi Arbenita.
Në emër të familjes, ajo përcolli një mesazh të fortë, duke shprehur njëkohësisht dhimbjen dhe krenarinë për të atin. “Në emër të familjes sime them vetëm kaq: Ti je dhimbja dhe krenaria jonë më e madhe”, përfundoi ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





