Paul McCartney ka zbuluar se Yoko Ono dikur i kishte thënë se mendonte që bashkëshorti i saj, John Lennon, mund të kishte qenë homoseksual.
Në një intervistë për Vanity Fair të realizuar në vitin 2015, por të publikuar sërish së fundmi me rastin e dokumentarit “Paul McCartney: Man on the Run”, muzikanti 83-vjeçar tregoi se Yoko e kishte ndarë këtë mendim me të pak pas vdekjes së Lennon në vitin 1980.
Sipas McCartney, ai nuk e besoi këtë ide.
Ai tha se gjatë viteve të 60-ta kishte kaluar shumë kohë me Lennon dhe nuk kishte parë asgjë që ta mbështeste këtë teori.
Megjithatë, ai pranoi se ndër vite kishte pasur thashetheme për seksualitetin e Lennon, veçanërisht për marrëdhënien e tij me menaxherin e The Beatles, Brian Epstein, i cili ishte homoseksual, shkruan DailyMail.
John Lennon dhe Yoko Ono u martuan në vitin 1969 dhe qëndruan bashkë deri në vrasjen e tij në vitin 1980 në moshën 40-vjeçare. Çifti kishte një djalë, Sean Ono Lennon, ndërsa Lennon kishte edhe një djalë tjetër, Julian, nga martesa e tij e parë me Cynthia Lennon.
Ndërkohë, në dokumentarin e ri për jetën e tij pas shpërbërjes së The Beatles, McCartney pranon se dikur kishte filluar të besonte kritikat se ai ishte përgjegjës për fundin e grupit.
