Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se i është drejtuar me një letër publike institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë mbështetur publikimin e ekspozitës së Shkëlzen Gashit ‘Masakrat në Kosovë 1998–1999’.
Përmes letrës është kërkuar tërheqja e emrave të tyre nga çdo referencë e mbështetjes në këtë publikim, për shkak të shqetësimeve serioze lidhur me besueshmërinë dhe integritetin e tij. ‘OVL UÇK thekson se trajtimi i temave të ndjeshme historike kërkon përgjegjësi të lartë dhe standarde të mirëfillta profesionale.
Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të përmbajtjes, vlerësojmë se ky publikim paraqet një sërë problematikash serioze që cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e tij.
Në këtë kontekst, vlerësojmë se përfshirja e institucionit tuaj në seksionin e mbështetjes së këtij publikimi nuk është neutrale.
Pavarësisht deklarimit formal se pikëpamjet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet e donatorëve, vetë fakti i mbështetjes financiare dhe identifikimit publik krijon një lidhje të drejtpërdrejtë të legjitimitetit institucional me përmbajtjen e tij’.
