Opinionisti Pal Shtufi e ka vlerësuar letrën që Rexhep Qosja ia ka lënë nipit të tij rreth përcjelljes në botën tjetër, si një mesazh me rëndësi të veçantë për shoqërinë.
Sipas Shtufit, letra nuk është thjesht një dokument familjar, por një porosi me vlerë më të gjerë për publikun dhe vendin. ‘Letra mendoj që ka qenë e domosdoshme për këtë vend, për këta njerëz, sesa për vetë Rexhep Qosjen ose familjen e tij.
Letra shihet ashiqare që nuk është familjare edhe pse i është drejtuar nipit të tij’, deklaroi Shtufi në emisionin Rubikon.
Ai theksoi se amaneti i tij përmban një mesazh të thellë njerëzor, pavarësisht se bëhet fjalë për një letër të fundit. ‘Unë jam gëzu shumë kur e kam lexu këtë letër, edhe pse është e fundit dhe ai nuk frymon më, prapë se prapë e len një porosi shumë njerëzore.
Ka disa shkojnë me të njëjtat probleme prej kësaj bote edhe lënë sherre, në këtë rast mendoj se ky i ka la disa.
Kjo është gjenerata e artë që është formu në ish-Jugosllavinë e asaj kohe, edhe ndër gjeneratat që për herë të parë kombi jonë ka përjetuar një vëllim të tillë intelektual, një krijim të tillë e Qosja është njëri prej atyre, të gjithë kanë qenë pothuajse njëjësoj.
Gjatë formimit këta nuk kanë pasur disa modele formimi, kanë pasur vetëm një: Rilindësit’, tha Shtufi.
Ai për më tepër tha se ‘Letra e Qosjes tregon se ai kështu ka jetuar dhe kështu deshi me vdekë.
S`ka gjë më korrekte’.
