Nga orët e para të së martës, më 14 prill, në Itali po zhvillohet operacioni i koduar ‘Daku’, ku Policia e Shtetit ka ekzekutuar 28 masa paraprake në disa provinca.
Shumica e personave të ndaluar janë shtetas shqiptarë.
Mediat italiane raportojnë se operacioni është koordinuar nga strukturat Antimafia dhe njësitë operative të Trentos, duke hetuar një rrjet të dyshuar për trafik droge në provincën e Bolzanos.
Grupi kriminal merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Aksioni vijon dhe pritet të dalin në dritë detaje të reja.
Masat e sigurisë janë zbatuar nga Skuadra Fluturuese e Bolzanos, në bashkëpunim me forcat policore nga disa qytete të tjera si Belluno, Trento, Venecia, Verona dhe Vicenza.
Ndër të dyshuarit, 10 janë në burg, 8 në arrest shtëpiak dhe 10 të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë në banesat e tyre.
Operacioni ka përfshirë edhe provinca të tjera si Barletta-Andria-Trani, Brescia, Monza Brianza, Pordenone dhe Sondrio.
