Policia e Kosovës ka filluar 51 raste për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” në katër komunat veriore gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ka arrestuar 18 persona të dyshuar dhe ka sekuestruar armë automatike, granata dore, eksploziv, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera ushtarake.
Në lidhje me këto zhvillime, njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësojnë se institucionet e Kosovës kanë intensifikuar operacionet për identifikimin dhe neutralizimin e rrjeteve të armëve ilegale dhe infrastrukturës së grupeve të lidhura me Beogradin zyrtar në veri të vendit.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se zhvillimet në veri duhet të analizohen në aspektin e sigurisë publike dhe asaj kombëtare, duke kujtuar sulmin terrorist në Banjskë në vitin 2023.
Shala tha se Serbia ka zhvendosur aparaturën e saj shtetërore në funksion të grupeve të lidhura me Beogradin zyrtar.
Ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, tha se situata në Mitrovicën Veriore vazhdon të mbetet e brishtë për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të armëve ilegale në objekte të pabanuara.
Bashkëpunimi i qytetarëve serbë me Policinë e Kosovës është përmirësuar në periudhën e fundit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





