Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Croydon, ku një 22-vjeçar me prejardhje shqiptare, Lorik Abazi, ka humbur jetën pas një sulmi me thikë në zonën e Hesterman Way më 15 shkurt.
Ai u gjet nga policia dhe Shërbimi Ambulancës së Londrës me plagë nga thika dhe u dërgua menjëherë në spital, ku pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ndërroi jetë.
Familja e tij e përshkroi Lorikun si “një djalë i kujdesshëm, i zgjuar, me një sens të mirë humori dhe me të ardhmen e tij përpara” dhe kërkoi privatësi në këtë moment të vështirë.
Dy gra, të dyja 25 vjeçe, dhe një burrë 28-vjeçar, janë arrestuar si të dyshuar për vrasje.
Dy meshkuj të tjerë, të dy 21 vjeç, të dërguar në spital janë arrestuar me dyshimin për përleshje.
Njëri ka lëndime serioze, ndërsa tjetri është liruar nga spitali dhe është marrë në paraburgim nga policia.
Dy gra të tjera, të moshës 21 dhe 22 vjeçare, u arrestuan gjithashtu me dyshimin për përleshje.
Gruaja 21-vjeçare është liruar me kusht ndërsa hetimet vazhdojnë, gjersa gruaja 22-vjeçare mbetet në paraburgim.
