Që nga 4 marsi 2026, hyrja e çdo mjeti që bart materiale ndërtimore dhe makineri të rënda në Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit është ndaluar pa një leje të posaçme nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ministria ka njoftuar se vendimi synon ndalimin e ndërtimeve pa leje që kanë dëmtuar dy parqet kombëtare.
Banorët e Rugovës, të përqendruar në rreth 15 fshatra dhe 13 zona kadastrale, thonë se vendimi i ndalon ata të rregullojnë shtëpitë dhe bizneset e tyre pa lejen e ministrisë.
Ata shtojnë se masat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme dhe mund të kufizojnë mundësitë e zhvillimit lokal, raporton Kiks Kosova.
Që nga viti 2019, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur qindra aktakuza ndaj ndërtimeve pa leje në park, dhe për shumë raste është kërkuar rrënimi i objekteve të ndërtuara.
Banorët thonë se numri i padive mund të rritet pasi nuk mund të marrin leje ndërtimore për shkak të mungesës së planeve hapësinore dhe rregullative nga komunat.
Ata shtojnë se, edhe pse nuk kanë leje, duhet të paguajnë taksa dhe nuk mund të përfitojnë grante qeveritare për investime.
Ligji për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, i hyrë në fuqi në janar 2013, lejon ndërtime vetëm në zonën e tretë mbrojtëse, ndërsa pjesa më e madhe e tokave private mbetet e ndaluar për ndërtim.
Banorët thonë se ndarjet trashëgimore shpesh i mbulojnë jashtë zonës së ndërtimit, duke pamundësuar ndërtimet ligjore.
Banorët pohojnë se mungesa e planeve rregullative komunale është problemi kryesor që pengon marrjen e lejeve dhe investimet në turizëm dhe zhvillim ekonomik.
Ata shtojnë se vendimi i ministres ka rritur tensionin mes tyre dhe institucioneve.
Disa ish-udhëheqës të institucionit të mjedisit kanë thënë se vendimi është i pazbatueshëm dhe krijon sfida me ligjin për menaxhimin e parqeve, ndërsa ekspertët e mjedisit thonë se ligji për parkun nuk ndalon ndërtimet në zonën e tretë mbrojtëse, por problemi qëndron te zbatimi dhe mungesa e planeve rregullative nga komunat.
Banorët thonë se vendimi pritet të ketë efekt afatgjatë mbi zhvillimin e zonës, duke kufizuar ndërtime dhe investime, por duke ruajtur mbrojtjen e natyrës dhe parqeve kombëtare.
