Mossi dyshohet për sulm fizik ndaj gazetarit Burim Pacolli pas analizës për freestyle-at e Meriton Mjekiqit

- Advertisement -

Reperi i njohur si Mossi, emri i vërtetë i të cilit është Gramos Krasniqi, dyshohet se së bashku me disa persona të tjerë ka sulmuar fizikisht gazetarin Burim Pacolli.

Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur pas analizave dhe recensioneve muzikore që Pacolli kishte bërë lidhur me pesë “freestyle-at më të fortë” të Meriton Mjekiqi. Në analizën e tij, gazetari kishte renditur edhe dy “diss”-et e reperit Betim Januzi, i njohur si Buta, të drejtuara ndaj Mossit.

Sulmi fizik ndaj Pacollit dyshohet të ketë ndodhur te rrethi i Interex-it në Prishtinë, në momentin kur ai po kryente shërbime personale bankare.

- Advertisement -

Reagimi i AGK-së dhe hetimet zyrtare

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër sulmin, duke theksuar se cenimi i integritetit fizik të një gazetari për shkak të punës së tij është i papranueshëm. AGK-ja i ka bërë thirrje Policia e Kosovës për identifikimin dhe arrestimin e autorit apo autorëve, pas denoncimit të bërë nga Pacolli.

Në reagim u rikujtua se liria e shprehjes, kritika dhe raportimi janë të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Kosovë, dhe se asnjë gazetar nuk duhet të përballet me sulme për shkak të ushtrimit të profesionit.

Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas pranimit të informacionit, prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprimet procedurale dhe ka autorizuar Policinë e Kosovës për zhvillimin e hetimeve me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve, si dhe sigurimin e provave relevante.

Aktualisht, hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit. Për shkak të fazës së hershme të procesit hetimor, autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë, duke theksuar se rasti do të trajtohet me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin.

Reagimi i Mossit në Instagram dhe kërcënimet e reja

Pas raportimeve për incidentin, Gramos Krasniqi – Mossi ka reaguar përmes llogarisë së tij në Instagram, duke justifikuar veprimet e tij dhe duke lëshuar kërcënime të reja të hapura ndaj gazetarit.

Në reagimin e tij, ai shkruan tekstualisht:

“Edhe kur u takum the une nuk te marr seriozisht per vrejtjen qe po ma terhjek e ti mendove si nje gazetar qe je ti je i paprekshum dhe i mbrojtur munesh me fol keq edhe me ul tjetrin sa here tjetri poston klip veq pse ka vendos nihere mos me pas interviste ose podcast gja tcilen sosht qe kom bo najher dikun tjeter e te ti jo qe me tmet hatri e me marr kaq personale po nuk ki m e kon asnjeher i mbrojtur perderisa flet keq per punen e tjetrit prej te cilit ai jeton, pa ndalim dhe pa nevoje .”

Rasti ka ngjallur reagime në opinionin publik, duke rikthyer debatin mbi kufijtë e kritikës artistike, lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë.

 

 

 

- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *