Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime për tre qytetarët nga Kosova që humbën jetën tragjikisht në vendin e tyre të punës në Vjenë.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca tha se Asllan Musliu, Istref Zekaj dhe Pajtim Bajrami, ishin shtylla e pazëvendësueshme e Kosovës. “Për dekada, njerëzit tanë jashtë vendit kanë mbajtur lidhjen me atdheun, kanë mbështetur familjet e tyre, kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, dhe kanë qenë zë i Kosovës kudo në botë.
Humbja e tyre nuk është vetëm humbje për familjet, por edhe për gjithë shoqërinë tonë që ka gjetur mbështetjen kryesore në përkushtimin dhe sakrificën e bashkatdhetarëve tanë”, ka shkruar ministri.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me familjet dhe autoritetet përkatëse për të siguruar mbështetjen e plotë dhe për të lehtësuar çdo procedurë të nevojshme.
